Pas intervistimit të sotëm në Hagë, ku është dita e katërt radhazi që po merret në pyetje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur para medieve në lidhje me këtë intervistim në Dhomat e Specializuara, njofton Insajderi.
Thaçi ka deklaruar se pas intervistimit të sotëm, ka dhënë dëshmitë e tij para prokurorit dhe gjykatësit në këtë Tribunal.
Ndër të tjerash, shefi i shtetit tha se ai nuk ka bërë asnjë lloj krimi që është pretenduar dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.
“Unë sapo e përfundova dëshminë time para prokurorit të Dhomave të Specializuara. Më vjen shumë mirë që për katër ditë me radhë kisha mundësinë të jap sqarime e mia për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës dhe përpjekjet e mia për paqe, stabilitet për zhvillim dhe progres. Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar që të sqaroj dhe të japë informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës gjatë periudhës që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Gjatë tërë kësaj periudhe kam qenë i shoqëruar nga ambasadori Prosper në cilësinë e avokatit. Përkundër faktit se dëshmia ime ka zgjatur shumë, unë konsideroj se kemi pasur seanca produktive. Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time”.
“Në rast se ata e bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara. Në çdo rast më lejoni të theksoj se lufta jonë ka qenë e drejtë, sepse ka qenë luftë për liri. Pikërisht se ishte luftë e drejtë, ne kemi pasur mbështetjen e botës demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, rrugëtim ky që ka zgjatur i suksesshëm, i përbashkët tash e dy dekada dhe do të jetë i përjetshëm”.
“Pikërisht përpjekjet për të rishkruar historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por e vërteta e jonë e dhimbshme dhe krenare është e pastër si loti. Ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshoj askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenar. ”, ka përfunduar Thaçi.
Ai po ashtu deklaroi se gjatë këtyre katër ditëve nuk është pyetur asnjë herë për pretendimet e raportit të Dick Martyt.
“Unë sonte nuk e kam të drejtën që të flas lidhur apo të jap ndonjë informacion në lidhje me dëshminë time tash e 4 ditë. Mund t’ju konfirmoj se deri më sot nuk jam pyetur në lidhje me këto pretendimet në asnjë rast”, deklaroi Thaçi. /Insajderi.com/