Izraeli po i afrohet me shpejtësi një linje të kuqe të infeksioneve me coronavirus, pasi konfirmoi një rekord prej 1 977 rastesh të reja, sipas të dhënave të lëshuara nga Ministria izraelite e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Yuli Edelstein theksoi më parë se 2 000 raste të reja brenda një dite do të ishin një “flamur i kuq” që kërkon kufizime më të rrepta. Ai paralajmëroi Izraelin se mund aprovohet një bllokadë tjetër e plotë, raporton ATSh, transmeton Insajderi.
Në Izrael janë konfirmuar 54 663 raste të coronavirusit, 22 920 prej tyre, janë shëruar, 259 pacientë të sëmurë rëndë dhe 430 persona kanë vdekur.
Në mes të majit, numri i infeksioneve të reja të përditshme ishte i ulët në Izrael. Por pas një lehtësimi të shpejtë të kufizimeve, numrat janë rritur shumë që nga fundi i majit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili u vlerësua për trajtimin e valës së parë të infeksioneve, u përball me kritika në rritje dhe me protesta të mbajtura në të gjithë vendin./Insajderi.com