Skuadra e Ballkanit ka vendosur ta nderojë kampionin e Kosovës në futboll, Dritën duke i bërë “Gardën e Nderit”, në ndeshjen e fundit, e cila zhvillohet në Suharekë.
Kështu ka thënë vetë drejtori i skuadrës së Ballkanit, Avni Bytyçi, njofton Insajderi.
“Në takimin e fundit që kemi pasur me kryesinë, kemi vendosur që të respektojmë skuadrën e Dritës, si kampion i ri në futboll të Kosovës në të gjitha drejtimet. Do ti bëjmë gordonin siç e bënë e gjithë bota e futbollit, sepse e meritojnë një gjë të tillë”, ka deklaruar Bytyçi.
Tutje ai ka shtuar se është e dhimbshme për skuadrën nga Suhareka që e humbën mundësin për të vendosur fituesin e titullit pikërisht në qytetin e tyre, mirëpo “realiteti është ky dhe duhet ta pranojmë”.
“Është e dhimbshme për ne që e humbëm mundësin për të vendosur titullin në Suharekë, por realiteti është ky. Drita është kampion dhe ne i dëshirojmë sukses në garat evropian. Dëshira jonë është që të na përfaqëosjë sa më denjësisht”, përfundoi ai.
Kujtojmë që ndeshja e fundit në këtë stinor ndërmjet Ballkanit dhe Dritës zhvillohet nesër me fillim nga ora 17:00, në stadiumin e qytetit në Suharekë.