Kina i bënë ofertë edhe Samuel Eto’o

Kina i bënë ofertë edhe Samuel Eto’o

Kina vazhdon të afrojë lojtarë nga e gjithë bota dhe së fundi pritet të udhëtojë drejt Azisë së Largët edhe një tjetër legjendë e futbollit botëror.

Ai është kamerunasi Samuel Eto’o, tashmë 35 vjeç, që po përpiqet të nënshkruajë me një ekip kinez brenda datës 26 shkurt, kur dhe mbyllet merkato në këtë vend.

Por ndryshe nga shumë yje të futbollit botëror, Eto’o pritet të luajë në Serinë B kineze, me ekipin Dalian Young, që për t’u ngjitur në Superligë ka vendosur t’i besojë një veteran të sulmit si kamerunasi.

Sipas “Titan Sports”, drejtori i përgjithshëm i ekipit kinez, Shi Fenghe, është nisur sot në mëngjes në udhëtim drejt Turqisë, me shpresën që të arrijë një marrëveshje me skuadrën e Antalyaspor, ku dhe militon futbollisti kamerunas.

Në krye të ekipit kinez të Dalian Young ndodhet trajneri Lopez Caro, që ka shprehur dëshirën për të marrë sulmuesin Samuel Eto’o për të forcuar repartin sulmues. Bisedimet kanë nisur dhe sulmuesi kamerunas duket se është gati të udhëtojë drejt Kinës, për të nisur një aventurë të re.