Kusari Lila për Mustafën: U shërua nga virusi por i mbeti zemërimi dhe agresiviteti

Deklarata e mëngjesit nga Mimoza Kusari-Lila, "mollë sherri" për pjesën tjetër të ditës.

Kusari Lila për Mustafën: U shërua nga virusi por i mbeti zemërimi dhe agresiviteti

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës të cilët kritikuan Kusari-Lilan për reagimin e saj pas rezultimit me Coronavirus të kryeministrit, Avdullah Hoti. Kusari-Lila ka thënë se Hoti duhet t’i pranojë gabimet nëse është i përgjegjshëm. Ndërsa me Isa Mustafën ka qenë më e ashpër duke thënë se u shërua nga virusi, por i mbeti zemërimi dhe agresiviteti.

Mimoza Kusari-Lila, në mëngjesin e së hënës ka thënë se Hoti nuk ka respektuar protokollin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik pasi pas testimit është takuar me qytetarë duke mos u vetizoluar.

Më pas ka ardhur reagimi i Hotit, ku ka thënë se testimin e ka kryer gjatë orës 16:00.

Në ndihmë Hotit i ka dalur kryetari i partisë, Isa Mustafa, i cili ka qenë shumë i ashpër me Kusari-LIlan, reagimin e së cilës e ka quajtur “idiotizëm të skajshëm”.

Mustafa ka qenë kritik edhe me kabinetin qeveritar e bashkëpartiakët e Hotit për mosreagimin e tyre ndaj deklaratës së deputetes.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila, ka thënë se Hoti është takuar me shumë qytetarë gjatë vizitave tek bizneset.

“Përgjigja juaj për kohën e testimit dhe pritjen e rezultatit, nuk ju liron nga përgjegjësia që mbani. Përkundrazi, kjo përgjigje vënë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në Kosovë”, ka shkruar ndër tjerash Kusari-Lila.

Postimi i plotë:

I nderuar z. Hoti,

Së pari edhe një herë për ditën e sotme, ju uroj të shëroheni sa ma parë dhe me sa më pak pasoja. Në veçanti uroj të mos ju mbetet zemërimi dhe gjuha agresive e bashkëpartiakëve tuaj të cilët u shëruan nga virusi.

Së dyti, përgjigja juaj për kohën e testimit dhe pritjen e rezultatit, nuk ju liron nga përgjegjësia që mbani. Përkundrazi, kjo përgjigje vënë në pah diskriminimin dhe injorimin që po u bëhet të sëmurëve dhe viktimave nga virusi në Kosovë.
Ka shumë familje që janë privuar nga e drejta e lamtumirës me më të dashurit e tyre si rrjedhojë e mos posedimit të rezultatit të testit, por vetëm se është dyshuar se ishin të infektuar, ata janë varrosur (ndonjëherë edhe në mbrëmje) të mbështjellë me najllonë në përcjellje të policisë. Pas dy dite është kuptuar se ishin negativ në dyshimin për infektim.

Së treti, ju nuk mund të zgjedhni të silleni në kundërshti me të gjitha rekomandimet e IKPSHK-së për qytetarët të cilëve nuk ju lejohen vizitat, ndërsa ju personalisht, vetë i 30-ti vizitoni biznese e përuroni rrugë sikur mos të ishim vendi me më së shumti viktima në Botë për kokë banori, e pastaj të pritni mirëkuptim dhe amnisti nga përgjegjësia kur kuptoni se jeni të infektuar.
Z. Hoti, nëse pretendoni të jeni Kryeministër i përgjegjshëm, atëherë, duhet të pranoni gabimet tuaja dhe pasojat që vijnë me to.

Ju u sollët për t’u kritikuar z. Hoti, ju nuk respektuat rregullat dhe vazhdoni të mos mbani përgjegjësi për pasojat që i vuajnë edhe tjerët rreth jush.

Andaj, para se të krijoni më shumë dëm se sa që keni krijuar deri më tani dhe para se të mos vijmë në ditën kur zyrtarisht jemi në katastrofë, thirrni ndërgjegjës dhe merrni përgjegjësi të cilat vijnë me postin të cilin pa legjitimitet e mbani.