Belgu 27 vjeçar dha shumë lavdata për menaxherin, Ole Gunnar Solskjaer dhe për treshen sulmuese me Anthony Martial, Marcus Rashford dhe Mason Greenwood, duke insistuar se është i lumtur për formën e mirë të ekipit.
Romelu kaloi dy sezone tek Manchester United para se të transferohej në Seria A tek Inter Milan për një shumë rreth 74 milionë funta. Ai po kalon një super sezonë me formë fantastike për ekipin e Antonio Conte, duke shënuar 33 gola në 50 paraqitje në të gjitha garat. Ai shënoi dy gola në fitoren 5-0 kundër Shakhtar Donetsk në gjysmëfinalen e Europa Ligës dhe pas ndeshjes u pyet për mendimin e tij për United dhe ndeshjen e tyre kundër Sevillës të cilën e humbën me rezultat 2-1.
“United dhanë gjithçka nga vetja e tyre. Mendoj se ata patën një sezon fantastik. “- tha Lukaku për BT Sport, raporton Insajderi.
“Ole bëri një punë fantastike. Me promovimin e Mason Greenwood në ekipin e parë, me Martial e Rashford në formë të mirë, ata po bëjnë punë fantastike, unë e prisja këtë.”- shtoi Lukaku.
United përfundoi në pozitën e tretë në Premier Ligë këtë sezon dhe arritën të kualifikohen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm falë formës së mirë të tyre pas rikthimit të futbollit nga pandemia./Insajderi.com.