25 miliardë dollarë për Shërbimin Postar Amerikan

25 miliardë dollarë për Shërbimin Postar Amerikan

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projektligjn që parashikon një fond emergjence prej 25 miliardë dollarësh për Shërbimit Postar Amerikan, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatitet për shifra rekord të votimit nëpërmjet postës për zgjedhjet presidenciale si pasojë e pandemisë COVID-19.

Votimi 257 pro dhe 150 kundër i projektligjit pritet të kthejë në gjendjen e mëparshme situatën e krijuar për shkak të ndryshimeve operacionale në Shërbimin Postar, të cilat kanë ngadalësuar dërgesën e postës në të gjithë vendin.

Më shumë se 24 republikanë votuan pro projektligjit, ndaj të cilit presidenti Donald Trump pritet të vendosë veton nëse miratohet edhe në Senatin e udhëhequr nga republikanët.

Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë të premten kritikoi projekt-ligjin e propozuar nga demokratët, duke thënë se është një “reagim i tepërt ndaj raporteve sensacionale të medieve që kanë bërë akuza pa prova se Shërbimi Postar Amerikan ka ndërmarrë reforma për të arritur objektiva politike dhe jo operacionale”.

Në deklaratë thuhet se kjo zyrë do t’i rekomandojë Presidentit Donald Trump të vendosë veton ndaj projektligjit, nëse ai do të miratohet nga të dyja dhomat. Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pritet që ta miratojë projektligjin, një veprim që Pelosi tha se nuk do t’i shërbente interesave politike të republikanëve.

“Ndjenjat e publikut janë gjithçka. Ata do të dëgjojnë nga zgjedhësit e tyre, sepse kjo është një çështje që prek çdo amerikan. Mosmarrja e postës në kohë godet çdo njeri. Të mos marrësh recetën e ilaçeve me postë, e kam fjalën veçanërisht për veteranët tanë, do të thotë të godasësh çdo shtëpi dhe kjo është e dëmshme për vendin tonë”, tha Pelosi. /Insajderi.com