Mesfushori i Barcelonës, Arturo Vidal, ka deklaruar se do të ishte i lumtur të luante për Juventusin nën drejtimin e trajnerit të ri, Andrea Pirlo.
“Është e jashtëzakonshme që Pirlo është bërë trajner i Juventusit. Nëse ai ka qenë shumë i mirë si lojtar, paramendojeni si trajner. Ka vizion të këtij sporti dhe është i rrallë. Mendoj se mund të ketë sukses. Pirlo është person i mrekullueshëm. Kemi kaluar katër vjet së bashku dhe e kemi fituar katër herë Scudetton. Nëse do të më thërriste, do të isha i kënaqur”, tha Vidal, në një paraqitje në “Youtube”, transmeton Insajderi.
Tre titujt e parë, Vidali i kishte fituar me Conten, i cili po ashtu dëshiron që të punojë me Vidalin në Inter.
“Conte është si një makinë, është taktikisht më i miri. Sa i përket të ardhmes, jam i relaksuar. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Jam mirë në Barcelonë, por të shohim”, përfundoi Vidal.
Inter dhe Juventus, I duan shërbimet e kilianit, ndërsa, ai është përfolur si një nga emrat që do të largohet nga Barcelona./Insajderi.com.