Alioski: Duam kualifikimin ndaj Kosovës

Alioski: Duam kualifikimin ndaj Kosovës

Një nga futbollistët me prejardhje shqipatare në ekipin e Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, ka thënë se ka respekt të madh për përfaqësuesen e Kosovës – mirëpo, ai ka shtuar se me Maqedoninë e Veriut synon të kualifikohet në Kampionatin Evropian “Euro 2020” duke e mposhtur Kosovën.

“Dëshira ka qenë që me Leedsin të ngjitemi në Premier League, synim të cilin e arritëm dhe tash më mbetet të shkoj në Evropian me Maqedoninë e Veriut. Në ndeshjen kundër Kosovës do të jap maksimumin nga vetja. Synimi im është që me Maqedoninë e Veriut të arrij diçka historike, siç është kualifikimi në Evropianin që mbahet vitin tjetër. Kemi gjasa të mira për kualifikim në këtë ngjarje”, është shprehur Alioski për televizionin shqiptar TV Shenja, transmeton Insajderi.

“Nuk duhet të dëgjojmë se çfarë thonë të tjerët. Është ndeshje që duhet disiplinë dhe respekt. I respektojmë, por edhe ata duhet të na respektojnë neve, sepse është vetëm sport, nuk luajmë për politikën që ka ndodhur para shumë vitesh. Edhe Maqedonia e Veriut ka shumë shqiptarë, nuk ka lidhje se kush do të shkojë në fund në Evropian, le të shkojë më i miri”, ka shtuar Alioski

Alioski është vetëm një nga pesë futbollistët shqiptarë që rregullisht ftohet te Maqedonia e Veriut. Pjesë e ekipit janë edhe Enis Bardhi, Arijan Ademi, Visar Musliu e Egzon Bejtullai./Insajderi.com.