ZYRTARE: Shtyhet fillimi i kampionatit të futbollit

ZYRTARE: Shtyhet fillimi i kampionatit të futbollit

Pas një takimi mes krerëve të FFK-së me zyrtarët e IKSHPK-së, është marrë vendim për shtyrjen e fillimit të edicionit të ri për një javë. Lajmi për këtë vendim është konfirmuar nga vet presidenti, Agim Ademi.

Super liga e Kosovës ishte paraparë të fillonte më 12 shtator.

Ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës, menjëherë pas takimit, ka lëshuar një deklaratë, duke treguar vendimet e takimit si dhe kur pritet fillimi i sezonit.

“Në takimin e mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, ku përveç ministrit Armend Zemaj dhe presidentit Agim Ademi e sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu morën pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, drejtori i IKSHPK-së, dr.Naser Ramadani, kryesuesi i Bordit Këshillëdhënës në luftën kundër Covid-19, dr. Lul Raka dhe përfaqësuesit e Policisë, u diskutuan të gjitha detajet rreth fillimit të garave në futboll dhe u paraqitën të gjitha protokollet dhe manualet në mbrojtje nga Covid-19, e të cilat FFK i ka përmbushur”

“Megjithatë, duke pasur parasysh se vendimin për ndalimin e aktiviteteve në futboll dhe në sport në përgjithësi e ka marrë Qeveria, atëherë u vendos që të pritet kthimi i kryeministrit në vend dhe marrja e vendimit nga ekzekutivi. Për këtë arsye, u vendos që kampionati të shtyhet për një javë”, thuhet në njoftimin e FFK-së./Insajderi.com.