Driton Kuka: Klubet po shuhen nga pandemia – shteti të reflektojë

Driton Kuka: Klubet po shuhen nga pandemia – shteti të reflektojë

Trajneri i Kosovës në xhudo Driton Kuka, ka thënë se klubet po shuhen dita e ditës si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia, ndërsa ai ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore që të reflektojnë karshi klubeve, karshi aktiviteteve e garave për të rinj, para se të jetë shumë vonë.

“Ringjallja e klubeve sportive në Kosovë nuk po ndodh! Në pritje të premtimeve për rimëkëmbjen e sportit asgjë nuk po ndodh ende. Klubet e sidomos shkollat bazë të sporteve në Kosovë si shkak i pandemisë po pësojnë në mënyrë drastike”, shkroi Kukan në Facebook, transmeton Insajderi.

“Klubet po shuhen dita ditës si pasojë e situatës së krijuar. Shtatori muaji kur sporti ngritet me anëtarë të rinj tashmë shumicën e tyre i gjen të mbyllura e pa aktivitete sportive”, shtoi ai.

“Ministria, KOK bashkë me Federatat por edhe Drejtoritë e Sporteve në Komuna reflektoni karshi klubeve, karshi aktiviteteve e garave për të rinj. Ta ringjallim sportin!”, përfundoi shkrimin e tij Kuka.

Sporti, është një nga sektorët e prekur më së shumti nga pandemia dhe jo vetëm në Kosovë, por ku do në botë./Insajderi.com.