A do të vazhdojë Kosova importet gjysmë milardëshe të rrymës!?

A do të vazhdojë Kosova importet gjysmë milardëshe të rrymës!?

Ani pse vendi i tretë në Evropë për nga rezervat e thëngjillit, Kosova vetëm dhjetë vitet e fundit ka importuar gjysmë miliardi euro energji elektrike për të mundësuar furnizimin me rrymë në vend, ani pse jo të rregullt.

Duke qenë se rryma ishte e listuar si produkti më i importuar nga Serbia në Kosovë, shumica e kësaj rryme ishte importuar nga termocentralet në Serbi, e cila tani më ka filluar ndërtimin e termocentraleve të reja nga qymyri dhe ka paralajmëruar një numër tjerash. Serbia këto termocentrale po i ndërton me financim nga Kina dhe Rusia.

Në mungesë të termocentralit të ri ‘Kosova e Re’ dhe pas mbylljes së termocentralit Kosova A, vlerat e importit të rrymës do të rriten dukshëm pasi që vendit do t’i mungojë sasi e madhe e energjisë elektrike.

Në këtë rast, Kosovës do t’i duhet të importojë shumë më shumë rrymë nga termocentralet ekzistuese dhe ato të reja në rajon.

Për vazhdimin e importeve dhe kundër termocentralit janë deklaruar edhe një numër organizatash joqeveritare në Kosovë. Ato po kundërshtojnë termocentralin e ri në Kosovë, ani pse të gjitha shtetet në Ballkan dhe një numër shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian po ndërtojnë termocentrale të reja për të siguruar mjaftueshëm rrymë për kërkesën në rritje.

Ndryshe, vendet në rajon, prej nga Kosova kryesisht importon energjinë elektrike pas Serbisë, kanë paralajmëruar rritje të çmimeve të energjisë për rreth 40%, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Cmimi i energjisë elektrike për biznese në Kroaci tani më ka shënuar rritje këtë vit. Në Serbi është paralajmëruar rritje cmimi prej 20% deri sa në Rumani prej 40%.

Rritja e cmimit të energjisë elektrike në rajon do të ndikojë edhe në rritjen e cmimit të energjisë elektrike në Kosovë, nëse vlerat marramendëse të importit vazhdojnë.