A kanë paguar politikanët tanë biletat për ta parë Kosovën?

A kanë paguar politikanët tanë biletat për ta parë Kosovën?

Përfaqësuesja e Kosovës është duke bërë krenar çdo qyetar të vendit, me paraqitjet e saj briliante.

Interesimi për të parë ndeshjet e “Dardanëve” në stadiumin “Fadil Vokrri” është tejet i madh nga të gjithë, politikanët, sportistët, artistët e të tjerët.

Në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë ndaj kombëtares bullgare në kuadër të fazës kualifikuese për Kampionat Evropian, zona VIP ishte e mbipopulluar nga politikanët.

Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Fatmir Sejdiu, Shpend Ahmeti, Ramush Haradinaj, Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Uran Ismaili ishin ndër politikanët e pranishëm mbrëmë në stadium për ta përkrahur Përfaqësuesen e Kosovës.

Megjithatë, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka kritikuar politikanët.

Salihu për gazetën “Zëri” ka thënë se asnjë nga politikanët nuk kanë paguar për biletat, duke u lajmëruar në FFK si instuticion për të krijuar shpenzime të mëdha, transmeton Insporti.com.

“Ka shumë shpenzime për VIP, shumë instuticione lajmërohen për bileta dhe ne nuk mundemi të vazhdojmë kështu. Po mendojmë ta gjejmë një zgjidhje”, vlerësoi Eroll Salihu.

Tutje, Eroll Salihu tregon edhe për vështirësitë që ka pasur në ndeshjen e djeshme kundër Bullgarisë, duke thënë se ka qenë i ulur në një pozicion të papërshtatshëm në tribunën VIP.

“Personalisht, kam qenë i ulur në fund të tribunës VIP në mes të dyja karrigeve që të mos më shoh askush. Secili e shikon interesin e vet dhe nuk interesohen për Federatën. Po shqyrtojmë mundësinë që të gjitha biletat VIP t’i bëjmë me pagesë dhe kush do të vijë, me ngrënë e me pi, le të paguan. Është e pandershme që dikush të vijë dhe të kërkojë bileta në emër të instuticionit”, përfundoi Eroll Salihu. /Insporti.com/