Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërin e Kosovës, Besnik Tahiri, ka informuar se do të fillojnë procedurë për inicimin e amnistisë fiskale, për të ndihmuar bizneset e prekura nga gjendja e krijuar nga COVID-19, njofton Insajderi.
“Grupi Parlamentar i AAK-së do të fillojë procedurat parlamentare për inicimin e amnistisë fiskale, si formë ndihmëse ndaj bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”, ka shkruar ai në Facebook.
Tahiri ka theksuar se me amnistinë fiskale do të tentojnë që bizneseve të cilat kanë pësuar nga situata me pandemi, të iu lehtësohet operimi ekonomik, “në mënyrë që të mos rrezikohet funksionimi i mëtejmë i tyre, i cili do rezultonte në thellimin e krizës ekonomike dhe humbjen e vendeve të punës”.
Ai shtoi se inicimi i këtyre masave lehtësuese për bizneset ka qenë premtim i kësaj partie gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
“Njëherit, inicimi i këtyre masave lehtësuese për bizneset, ka qenë premtim i ish-deputetit Daut Haradinaj gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit”. /Insajderi.com