Haradinaj premton fond prej 1 miliard eurosh për të nxjerrë vendin nga kriza e pandemisë

Haradinaj premton fond prej 1 miliard eurosh për të nxjerrë vendin nga kriza e pandemisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit kandidati për president nga kjo pari, Ramush Haradinaj, ka prezentuar Programin Zgjedhor 2021-2025, ku tha se partia e tij ka planikuar një fond prej 1 miliard euro për të njerrë vendin nga kriza e pandemisë së COVID-19, njofton Insajderi.

Ai tha se Aleanca është e bindur në suksesin e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa shtoi se do të garojnë me një listë të kandidatëve për deputet me përgatitje të duhur dhe integritet për Kuvend.

Sipas Haradinajt, programi zgjedhor i AAK-së është më i miri i mundshëm i cili ndahet në katër shtylla.

“E para është ekonomia. E kemi një plan të detajuar si të dalim nga kriza e shkaktuar nga pandemia…E kemi ideuar krijimin e Fondit të ringjalljes prej 1 miliard eurosh që është i realizueshëm e që garanton daljen nga kriza”, shto ai.

“Mandej është zhvillimi ekonomik për 4 vitet e ardhshme që parasheh një zhvillim të qëndrueshëm të vendit”, theksoi Haradinaj gjatë shpalosjes së programit.

“Shtylla e dytë e këtij programi është “siguria dhe shteti i së drejtës”  që ofron garancë për funksionimin e shtetit të sigurt e të mbrojtur dhe sundim të ligjit”, tha ai tutje.

“Shtyllë e tretë e programit tonë janë krejt fushat sektoriale duke filluar nga arsimi, shëndetësia, mjedisi, rinia, kultura e deri te sporti. Ne jemi të vetëdijshëm se ka pasur mangësi në menaxhimin dhe qeverisjen e krejt këtyre fushave dhe ne e kemi gjetur modelin se si t’i adresojmë këto sfida”, tha në fjalën e tij kandidati I AAK-së për president, Ramush Haradinaj.

Haradinaj shtoi se programi qeverisës i AAK-së parasheh një varg veprimesh në funksion të fuqizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Shtylla e katërt, Politika e jashtme, me një varg veprimesh në funksion të fuqizimit të shtetit në arenën ndërkombëtare, njohjeve të reja, antarësimi në organizata ndërkombëtare dhe forcimi i marëdhënieve me aleatët strategjikë. Me programin tonë, theks të posaçëm i kemi dhënë antarësimit të Kosovës në NATO dhe integrimit në BE”, tha Haradinaj para të pranishmëve./Insajderi.com