Ademi: FFK ishte e gatshme për fillimin e kampionatit – por pa tifozë

Ademi: FFK ishte e gatshme për fillimin e kampionatit – por pa tifozë

Kampionati i ri pritej të fillonte këtë fundjavë, por që masat e Qeverisë së Kosovës për pezullimin e aktiviteteve sportive ende nuk janë shfuqizuar.

Federata e Futbollit të Kosovës këtë javë konfirmoi se edicioni i ri në Super Ligën e Kosovës do të nis më 19 shtator dhe jo më 12 shtator ashtu siç ishte caktuar fillimisht.

Agim Ademi, kryetari i FFK-së në një intervistë në “RTK” ka thënë se FFK ishte e gatshme për sezonin e ri.

“FFK-ja ka qenë e gatshme për ta nisur kampionatin, edhe IKSHP-ja ka dhënë rekomandime për fillimin e kampionatit dhe stërvitjeve”, ka thënë Ademi, transmeton Insajderi.

“Por, vendimi duhet të merret nga kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka qenë i zënë me takime në Amerikë dhe Bruksel, shpresoj se do të merret vendimi shumë shpejt”, shtoi presidenti i FFK-së.

“Nuk është në dorën tonë. Kampionati do të fillojë në javët e para pa tifozë, pastaj le ta shohim”, përfundoi Ademi./Insajderi.com.