Ademi: Nëse nuk intonohet himni, ne nuk e zhvillojmë ndeshjen

Ademi: Nëse nuk intonohet himni, ne nuk e zhvillojmë ndeshjen

Nesër me fillim nga ora 20:45, Kosova e zhvillon ndeshjen e dytë kualifikuese për Kupën e Botës ‘Qatar 2022’, teksa kjo ndeshje do të jetë më speciale, pasi ‘dardanët’ e luajnë kundër një superfuqie në futboll, dhe një vendi që nuk ka njohur Kosovën si shtet, njofton Insajderi.

Para kësaj sfide, në një intervistë dhënë për Klan Kosovën, kreut i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është optimist se ndeshja do të zhvillohet sipas protokolleve të parapara të FIFA-s dhe UEFA-së, dhe se kundërshtarët do ta trajtojnë Kosovën si një ekip të barabartë.

“Unë e falënderoj shumë Federatën e Spanjës që na ka pritur jashtëzakonisht mirë me protokoll dhe jashtë protokollit në mënyrën më të mirë shoqërore. Ju ka ardhur keq për detajet, sepse ka qenë më shumë mediale sesa politike. Besoj që e keni vërtetuar këtë sepse është deklaruar edhe Ministrja e Jashtme, madje nga federata na kanë kërkuar edhe falje. Nuk ka qenë e nevojshme për mua. Ne kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës. Ju e dini që kanë qenë edhe dy zyrtarë të UEFA-s pas deklarimeve të mia se nuk do të luajmë pa himn dhe flamur dhe më kanë garantuar edhe nga Federata e Spanjës se gjithçka do të shkojë sipas protokollit. Dhe ja kjo po ndodh”, tha fillimisht Ademi.

I pyetur nga gazetari nëse para sfidës nuk do të intonohej himni i Kosovës, çfarë do të ndodhte pastaj, Ademi është përgjigjur: “Ne i përshëndesim gazetarët dhe referët dhe ikim për Kosovë. Në asnjë mënyrë nuk do të luhet loja. Por, nuk do të ndodhë ajo, sepse protokolli është në përpikëri”. /Insajderi.com