Israel Adesanya, e ka vazhduar rekordin impresiv prej 20 fitoreve pa humbje, pasi e ka mposhtur Paulo Costa, i cilësuar si konkurrenti më serioz i tij në këtë kategori.
Edhe Paulo Costa, deri para kësaj ndeshje, kishte 13 ndeshje dhe të gjithë këto i kishte fitore, duke mos provuar asnjëherë shijen e humbjes.
Në UFC 253, ndeshja në mes të Adesanya dhe Costa, u cilësua si njëra nga ndeshjet më interesante në gjithë historinë e MMA.
31 vjeçari, Adesanya, ka treguar përvojën e tij të madhe në këtë garë, duke e rrëzuar në tokë Costa-n dhe duke detyruar gjyqtarin të ndërhynte për të ndërprerë luftën dhe për ti dhënë fitoren e padiskutueshme nigerianit.
Strategjia e Adesanya, u dallua që nga fillimi, pasi ai po e mbante distancë dhe po godiste pa ndalur në këmbët e Costa-s – duke evituar sulmet e tij dhe duke pritur momentin e duhur që të shkarkonte gjithë fuqinë e tij sulmuese për ta fituar këtë duel.
“Nuk më pëlqen ai djalë, e kam thënë nga fillimi. Nuk e njoh personalisht, por, nuk më pëlqen, megjithatë nuk e dëshiroj vdekjen e tij, prandaj e lash gjallë”, tha Adesanya pas ndeshjes, duke treguar se ai e kishte paralajmëruar një sfidë të tillë me dhunë dhe brutalitet./Insajderi.com.