Ekipi nga Drenasi, Feronikeli, ka mposhtur me rezultat të thellë nën kampionin e Kosovës, Gjilanin, me rezultat 4 me 0, njofton Insajderi.
Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, është shprehur shumë i lumtur me paraqitjen dhe fitoren e arritur ndaj Gjilanit.
Ai mes tjerash theksoi që shpreson se tifozët t’iu kthehen tribunave sa më shpejtë.
“Futbollistët kanë dhënë gjithçka në fushën e lojës. Kemi pasur raste edhe për më tepër gola. Jemi shumë të kënaqur me rezultatin. Kemi bërë shumë transferime, të cilët nuk janë adaptuar ende, por për fillim është mirë”, deklaroi Tovërlani.
“Në futbollin e sotëm, mbrojtësit kanë përgjegjësi të madhe, sidomos ata të krahut, të aktivizohen në fazën sulmuese. Që të katër mbrojtësit kanë bërë paraqitje shumë të mirë”, shtoi ai.
“Shpresoj që tifozët të rikthehen sa më shpejtë në tribuna. Do të japim maksimumin dhe besoj që në fund t’i gëzojmë tifozët tanë”, përfundoi ai./Insajderi.com.