Agjencia iraniane e lajmeve: Vrasësi i Soleimanit është vrarë në Afganistan

Oficeri i lartë i CIA-s amerikane Michael D’Andrea, për të cilin konsiderohet se e ka organizuar vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani është vrarë në Afganistan, pretendon agjencia iraniane e lajmeve Mehr.

Agjencia iraniane e lajmeve: Vrasësi i Soleimanit është vrarë në Afganistan

Kjo agjenci pretendon se D’Andrea, i njohur me nofkën “Ajatollah Mike”, ishte në aeroplanin të cilin të hënën e kanë rrëzuar talibanët, transmeton gazeta britanike Daily Star.

Për D’Andrea pretendohet se ka organizuar kërkimin e liderit të Al Kaidës Osama bin Laden.

Mirëpo, këto pohime asnjë nga zyrtarët amerikanë nuk e ka konfirmuar.

D’Andrea ka hyrë në CIA në vitin 1979, dhe e ka marrë nofkën “Ajatollah Mike” për shkak të operacioneve që i ka ndërmarrë në Iran, Irak dhe Afganistan.

Konsiderohet se është i ngarkuar për operacionet antiterroriste, arrestime madje edhe për programe të torturave, ndërsa The New York Times në vitin 2017 ka publikuar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump e ka emëruar për operacionet në Iran.

Në provincën afgane Gazni, të hënën është rrëzuar një aeroplan amerikan, për të cilin talibanët kanë pretenduar se e kanë rrëzuar dhe se në të kanë qenë 83 pjesëtarë të ushtrisë amerikane./Insajderi.com.