Agjentë federalë të paidentifikuar pushtojnë qytetin e Portland në SHBA

Agjentë federalë të paidentifikuar pushtojnë qytetin e Portland në SHBA

Portland është pushtuar nga agjentë federalë – përfshirë policë të panjohur, të veshur me kamuflazh, të cilët kanë dalë nga furgona të pa markuar për të arrestuar protestuesit. Këta zyrtarë raportohet se nuk kanë pranuar të thonë se për cilën agjenci punojnë. Por autoriteti i tyre i supozuar në qytetin më të madh në Oregon dhe për të bërë arrestime, duket se mbështetet në një urdhër ekzekutiv të 26 qershorit nga Presidenti Donald Trump duke kërkuar mbrojtjen e statujave, monumenteve dhe pronave federale, shkruan Mother Jones, transmeton Insajderi.

Protestat e ‘Black Lives Matter’ kanë vazhduar këtë muaj, duke tërhequr vëmendjen e Trump, i cili në mënyrë të gabuar e përshkroi qytetin si “krejtësisht jashtë kontrollit”. Trump gjithashtu kërcënoi këtë javë se do të “pushtojë” qytete për të cilat ai pretendon se vuajnë nga përhapjet e krimit.

Të Premten, një zëdhënës i Patrullës Doganore dhe Kufitare tha që oficerët e agjencisë, i cili është pjesë e Departamentit të Sigurisë Atdhetare, kanë kryer arrestimin e treguar në videon e mësipërme.

Zëdhënësi tha: “Agjentët e CBP kishin informacione që tregonin se personi në video ishte i dyshuar për sulme ndaj agjentëve federalë ose shkatërrim të pronës federale. Pasi agjentët e CBP iu afruan të dyshuarit, një turmë e madhe dhe e dhunshme u zhvendos drejt vendndodhjes së tyre. Për sigurinë e të gjithëve, agjentët e CBP shpejt e transferuan të dyshuarin në një vend më të sigurt për pyetje të mëtejshme. Agjentët e CBP e identifikuan veten dhe ishin veshur shenja CBP gjatë takimit. Emrat e agjentëve nuk u shfaqën për shkak të incidenteve të kohëve të fundit ndaj personelit të zbatimit të ligjit që shërbejnë dhe mbrojnë vendin tonë”.

Mark Pettibone, të cilin Washington Post e identifikoi si protestuesi i referuar në deklaratën e CBP, ka thënë se ai u arrestua pa shkak.

“Më futën në furgon”, tha Mark Pettibone. “Dhe me kapelën që kisha vënë më mbuluan fytyrën, unë nuk mund të shihja dhe ata mbanin duart mbi kokën time.”

Pettibone, i cili tha se nuk bëri asgjë të paligjshme dhe nuk e di pse u arrestua, rrëfeu se u dërgua në një ndërtesë që ai mësoi më vonë ishte gjykata federale e Oregonit, ku u kontrollua. Ai tha se pasi ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve dhe kërkoi avokat, intervista përfundoi dhe ai u la i lirë pas 90 minutash pa asnjë shpjegim apo shkresë. /Insajderi.com