Teletni që po ikën

Agon Ramadani, lojtari i radhës që la Kosovën për Shqipërinë, në Futsall

Kosova e ka ligën e futsallit mbase më të mirën në rajon, por çalon kur vije puna tek përfaqësuesja. Për shkak të keq-menaxhimit, siç thonë lojtarët kosovarë të futsallit, ata po zgjedhin të luajnë për Shqipërinë në vend të Kosovës. Nuk është një rast, as dy, por mbi dhjetë futbollistë që kanë kaluar na anën tjetër të kufirit dhe sot përfaqësojnë Shqipërinë.

Agon Ramadani, lojtari i radhës që la Kosovën për Shqipërinë, në Futsall

Futbollisti i futsall-it, Agon Ramadani, ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij, tek kombëtarja e Shqipërisë, pasi ai është pajisur me pasaportë shqiptare.

Njoftimin e ka bërë vetë lojtari, përmes llogarisë së tij në Facebook, njofton Insajderi.

Gazeta Online Insajderi e ka kontaktuar Ramadanin, për të marrë një prononcim nga ai, në lidhje me zgjedhjen e tij.

“Unë kam qenë pjesë e Kosovës në disa ndeshje, por ata nuk më kanë ftuar më, dhe Shqipëria ka reaguar menjëherë, duke më ftuar në radhët e veta – ndërsa Kosova nuk ka bërë asnjë veprim për të më mbajtur në ekip”, tha Ramadani, për Insajderi-n.

Ramadani, tha se përfaqësuesja e Kosovës, ka shumë talente, por nuk ka menaxhim të mirë, prandaj edhe kanë dështuar në kualifikim, por ai prapë u ka uruar fat në të ardhmen.

“Bashkë me mua, tani jemi gjithsej tetë lojtarë nga Kosova, që kanë zgjedhur të luajmë për Shqipërinë, e jo për Kosovën, dhe kjo është si pasojë e menaxhimit jo të mirë të përfaqësueses në futsall” shtoi Ramadani.

Ndërsa Insajderi.com, e ka kuptuar se janë më shumë së tetë lojtarë që janë duke luajtur për Shqipërinë: Azem Ibrahimi, Halim Selmani, Mentor Meizini, Narcist Alibegu, Kemjal Gashi, Fidan Gashi, Shqipron Brahimi, Ermir Kryeziu, Besnik Rexhepaj, Arbër edhe Taulant Shkodra, janë momentalisht pjesë e përfaqësuese së Shqipërisë.

Isnajderi e ka pyetur Ramadanin, për diferencën në mes Kosovës dhe Shqipërisë në futsall dhe ai tha se “dallimi qëndron në rendësin që i japin përfaqësueses”.

“Në Shqipëri ka një organizim dhe interesim të jashtëzakonshëm për ekipin përfaqësues, ndërsa Kosova më shumë është e fokusuar në ligën e futsall-it, që ndoshta është liga më e fortë në rajon, kundrejt Shqipërisë që nuk ka fare interesim dhe organizim të mirë të ligës”, përfundoi Ramadani.

Insajderi.com, ka provuar të kontaktojë edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, por ata nuk i janë përgjigjur telefonatave të redaksisë.

Ramadani, është 29 vjeçar dhe ai njihet si një nga lojtarët më të mirë të vendit tonë në futsall, ndërsa ka fituar dy herë Super ligën e futsall-it në Kosovë dhe katër herë kupën e Kosovës./Insajderi.com.