Ahmeti lavdërohet me punën e shërbimeve emergjente, i krahason me kohën e Isa Mustafës

Ahmeti lavdërohet me punën e shërbimeve emergjente, i krahason me kohën e Isa Mustafës

Shpend Ahmeti ka krahasuar performancën e shërbimeve të emergjencës në Komunën e Prishtinës nga koha kur komuna udhëhiqej nga Isa Mustafa i LDK-së me periudhën prejn kur komuna udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Komunës së Prishtinës pretendon se koha mesatare e shërbimeve emergjente në Prishtinë, nga thirrja tek arritja në vendin e ngjarjes, është dukshëm më e vogël gjatë udhëheqjes së tij në kryeqytet krahasuar me kohën kur udhëhiqte Mustafa.

Përmes një statistike të publikuar në rrjetin social Twitter, Ahmeti ka bërë krahasimin mes rendimentit të shërbimeve emergjente para vitit 2013, dhe pas këtij viti.

“Shërbimi i Urgjencës – Komuna e Prishtinës 2013 – koha mesatare nga thirrja tek arritja 13.7 minuta 2016 – 7.3 minuta”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka nisur parafushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Komunën e Prishtinës, të cilat do të mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ai është kryetar i kryeqytetit që nga viti 2013, raporton Insajderi.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje do të rikandidojë edhe për një mandat në Prishtinë. /Insajderi.com