Trajneri i Stoke Cityt Marc Hughes ka bërë të ditur se mesfushori nga Gjilani, Xherdan Shaqiri, nuk do të largohet nga skuadra angleze, pavarësisht interesimit të Romës.

Xherdan Shaqiri ka blerë një shtëpi të re në qytetin e Stoke dhe kjo e bindë trajnerin e Stoke Cityt, Marc Hughes, që të jetë i sigurt për qëndrimin e yllit të Zvicrës në skuadrën e “poçarëve”.
Tifozët e Stoke janë shqetësuar pas fjalëve të agjentit të Shaqirit, njëkohësisht të vëllait të tij, Erdinit, se një lëvizje e mundshme tek Roma, mund të ndodhë që në janar.
“Kurrë mos thuaj kurrë”, ishte shprehur Erdin Shaqiri rreth 1 muaj më parë, kur u pyet rreth interesimit të Romës për Shaqirin, raporton Insajderi.
Mirëpo trajneri i Stoke Cityt hedhi poshtë komentin e agjentit të Xherdan Shaqirit, duke u shprehur i bindur për qëndrimin në Angli të mesfushorit.
“Komentet për largimin e Shaqirit janë spekulime. Shaqiri është duke lëvizur në një shtëpi të re për momentin dhe kjo nënkupton se ai është i lumtur dhe i ambientuar këtu”, tha Hughes për tabloidin anglez Mirror.
Stoke City ballafaqohet sot me Swansea Cityn në “Britannia Stadium”. Ndeshja është e vlefshme për javën e 10 të Premier Ligës. /Insajderi.com