Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka komentuar largimin e mbrojtësit Ardian Ismajli nga Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në drejtim të ekipit të parë të Shqipërisë.
Në Express Intervistën në KTV, Salihu ka thënë se asnjë njeri që nuk e do Kosovën, nuk mund ta dojë Shqipërinë.
Ka thënë se në aspektin sportiv ka pasur shantazh nga Ismajli që ka kërkuar të jetë në ekipin e parë të Kosovës.
“Ai që nuk e do Kosovën, nuk e do as Shqipërinë. Ai mund ta gënjejë veten. Në aspektin sportiv është shantazh. Nuk mund t’i garantojë trajneri askujt se do të luajë. Nuk ka luajtur me skuadrën e vet, por e kemi bërë kapiten te të rinjtë. Gjithçka varet nga karakteri. Shqipëria na ka lajmëruar shumë fer. Kemi raporte shumë të mira me ta. Kur na lajmëruan u kemi thënë se nëse është vendim i lojtarit, nuk duam të ndërhyjmë”, ka thënë ai.
“Ai që nuk e do Kosovën nuk mund ta dojë as kombëtaren e Shqipërisë”.
Sipas Salihut, Kosova i ka kërkuar Shqipërisë të mos joshin më të rinjtë e Kosovës, sidomos ata që luajnë për përfaqësuesen. Sipas tij, kjo po i dëmton të dy ekipet.