Kryetari i Autoritet Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka paralajmëruar masa ndaj atyre bizneseve të gastronomisë, për të cilat ka thënë se i kanë rritur çmimin e kafesë dhe të produkteve të tjera pas përfundimit të mbylljes dyjavore, njofton Insajderi.
Prestreshi i ka bërë thirrje shoqatës së gastronomisë që të distancohet nga kjo sjellje e gastronomëve dhe të ndalin këto veprime.
“Gjithë ato ankesa, gjithë ato protesta, gjithë ai presion që u ushtrua nga sektori i gastronomisë, kundrejt masave të vendosura nga Qeveria për ta parandaluar infeksionin Covid 19, e që kishin të drejtë në disa raste, tani po të njëjtit gastronomë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkërisht me marrëveshje t’i ngritinë çmimet e kafeve dhe produkteve tjera.
Kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar, andaj para se të inicoj procedura hetimore Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si titullar i këtij institucioni fillimisht i bëjë thirrje Shoqatës së Gastronomëve, që ata të distancohen nga këto sjellje të gastronomëve dhe të bëjnë thirrje për ndalim të këtyre veprimeve. Në të kundërtën, derën e parë që do ta trokasim është dera e shoqatës së gastronomeve”, ka shkruar Prestreshi në profilin e tij në Facebook./Insajderi.com