Gjermania i ka quajtur absurde akuzat për terrorizëm të Turqisë kundër një shtetasi gjerman dhe kërkoi “lirimin e menjëhershëm” të aktivistit.
“Qeveria turke duhet të dëgjojë menjëherë dhe direkt zemërimin e qeverisë gjermane, si dhe pritshmëritë e saj të qarta për rastin e Peter Steudtner-it, dhe këtë herë pa tone diplomatike”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Martin Schaefer.
Pas një takimi të mërkurën me ambasadorin e Turqisë në Gjermani, zoti Schaefer tha se i kishte thënë zyrtarit turk “në mënyrë tepër të qartë” se ndalimi i aktivistit Steudtner ishte “i papranueshëm” dhe se i njejti mesazh do t’i dërgohej Ankarasë.
Këtë muaj Turqia burgosi gjashtë aktivistë të të drejtave të njeriut, përfshirë shefen e organizatës Amnesty International për Turqinë nën akuzat se ata po ndihmonin terroristët.
Më 5 korrik policia arrestoi gjashtë aktivistët gjatë një bastisjeje në një hotel në ishullin e Bujukadës, gjatë një konference mbi sigurinë dixhitale. Të martën, një gjykatë në Stamboll urdhëroi mas[n e arrestit me burg, deri në caktimin e seancës gjyqësore.
Edhe Shtetet e Bashkuara dënuan arrestimin e aktivistëve.
“Ndjekjet penale si kjo, me pak dëshmi apo transparencë minojnë sundimin e ligjit në Turqi dhe detyrimet e vendit për respektimin e të drejtave individuale. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve turke që të tërheqin akuzat, të lirojnë personat e arrestuar dhe të heqin dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme që lejojnë ndjekjet penale pa dallim të individëve”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert
Turqia këtë javë zgjati gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur pas grushtit të dështuar të shtetit edhe për tre muaj të tjerë, pak pasi votuesit miratuan me rezultat të ngushtë një referendum për të ndryshuar kushtetutën dhe për t’i zgjeruar kompetencat e Presidentit Erdogan.
Presidenti amerikan Donald Trump uroi zotin Erdogan për fitoren në referendum, por shumë udhëheqës të Bashkimit Evropian frikësohen se ndryshimet kushtetuese do të vazhdojnë të rëndojnë edhe më tej çështjen e të drejtave të njeriut dhe lirinë e shprehjes në Turqi, si dhe do të heshtin opozitën.
Më shumë se 50,000 njerëz janë arrestuar gjatë shtypjes njëvjeçare që pasoi puçin e dështuar të vitit të kaluar. Përveç kësaj, 110 mijë punonjës civilë të administratës turke, pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë janë pushuar nga puna për pjesëmarrje ose mbështetjen e organizatorëve të grushtetit./VOA