Aktori i famshëm amerikan, Dwayne ‘The Rock’ Johnson, nuk lë pa provuar mundësinë për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e ardhshme, transmeton Insajderi.
Në bazë të një sondazhi të publikuar nga NewsWeek, i cili është realizuar në internet ku kanë marrë pjesë 30.138 të anketuar, 46 për qind e tyre kanë votuar pro që 48 vjeçari të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë.
Ky lajm nuk është edhe i pa thënë nga ‘The Rock’ pasi që në vitin 2017 deklaroi se është duke menduar që të merret me politikë, më saktë po e shqyrton si mundësi reale kandidaturën e tij që t’i hyjë garës për president.
“Mendoj se tash jam në një pozitë kur fjala ime ka vlerë dhe ndikim të madh”, pati thënë ‘The Rock’, i cili pas sondazhit të fundit është duke e menduar seriozisht opsionin e përfshirjes në politikë.
Pas publikimit të këtij lajmi, nuk ka munguar edhe reagimi i ish-yllit të mundjes dhe futbollit amerikan, i cili ka thënë se nëse diçka e tillë ndodhë ndonjëherë, ai do të ishte i nderuar që t’i shërbente popullit amerikan.
Njëherësh, ai nuk ka hezituar t’i tregojë qëndrimet e veta politike, pasi në verën e vitit të kaluar e kishte kritikuar udhëheqësinë e Donald Trumpit dhe angazhimin e tij lidhur me pandeminë e Coronavirusit. /Insajderi.com