Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i ka bërë thirrje Rusisë që të mendojë përsëri për raportet e saj me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, pas sulmit të qartë kimik, për të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar qeverinë e Assadit.
“Nuk ka dyshim në mendjen time se regjimi sirian, nën udhëheqjen e Bashar al-Assadit, është përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm. Ne mendojmë se është koha që rusët realisht duhet të mendojnë me kujdes për mbështetjen e vazhdueshme të tyre për regjimin e Assadit”, u tha mbrëmë gazetarëve në Uashington, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.
Këto komente u bënë në periudhën e rritjes së tmerrit ndërkombëtar lidhur me sulmin nga i cili u vranë së paku 72 vetë në provincën Idlib në Siri para dy ditësh, dhe në ditën e njëjtë kur Departamenti i Shtetit shpalli se Tillerson do ta vizitojë Rusinë më 12 prill, që është turneu i parë në këtë vend i diplomatit më të lartë amerikan, pas inaugurimit të presidentit, Donald Trump, më 20 janar.
Rusia i ka dhënë Assadit ndihmë madhore diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës gjashtëvjeçare, që pat filluar me goditjen e dhunshme kundër protestuesve që kërkonin demokraci. Nga kjo luftë deri tash janë vrarë më se 300 mijë njerëz.
Presidenti Donald Trump tha se qeveria e Assadit ka lëvizur përtej “vijës së kuqe” me këtë sulm, që sipas tij është “i papranueshëm”.
I pyetur nga gazetarët se a ka ndryshuar qëndrimi i tij lidhur me Sirinë, zoti Trump theksoi:
“Është shumë e mundshme dhe do t’ju them se tashmë po ndodhë, që qasja ime ndaj Sirisë dhe Assadit ka ndryshuar shumë”, tha Donald Trump.
Në komentet e tij për Sirinë, presidenti Trump nuk e ka përmendur Rusinë, por sekretari Tillerson është njëri prej zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, që e ka kritikuar Moskën lidhur me sulmin në Siri.
Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, tha se “të gjitha dëshmitë tregojnë” se qeveria e Sirisë ka dorë në sulm dhe i ka bërë thirrje Rusisë që ta respektojë marrëveshjen e nënshkruar për të ndihmuar në eliminimin e armatimit kimik në Siri.
Zoti Pence, për sulmin kimik para dy ditësh në Siri, pjesërisht e ka fajësuar administratën e ish-presidentit, Barack Obama, duke thënë se ajo kishte dështuar ta mbajë përgjegjëse Rusinë dhe Sirinë për ndalesën e armatimit kimik, që Assadi e ka nënshkruar në vitin 2013.
Në një intervistë për rrjetin Fox News, Pence tha se është koha që Moska ta “mbajë fjalën e vet për ta parë eliminimin e armatimit kimik, në mënyrë që ky armatim më të mos jetë kërcënim për popullin në këtë vend”.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se “Assadi nuk do t’i ndalë sulmet kimike derisa Rusia e mbronë atë”.
“Ne e dimë se nëse nuk bëhet asgjë, këto sulme do të vazhdojnë. Assadi nuk ka arsye për të mos përdorë armatim kimik, derisa Rusia vazhdon ta mbrojë regjimin e tij nga pasojat”, tha Nikki Haley.