Kapiteni i Kosovës dhe lojtari i Napolit, Amir Rrahmani, bëri një paraqitje mjaft të mirë kundër Juventus-it, mbrëmë (të shtunën) në javën e 22-të të kampionatin elitar Italian, njofton Insajderi.
Në ndeshjen e parë të plotë me fanellën e Napolit në Serie A, 26 vjeçari u bë protagonist në minutën e 31-të të sfidës në stadiumin “Diego Armando Maradona” duke fituar penallti pas goditjes në fytyrë nga veterani Chiellini.
Për paraqitjen e djeshme ndaj kampionëve të Italisë, Rrahmani u vlerësua me notën 7.3 nga “Sofa Score”. Përsa i përket dueleve, ish-mbrojtësi i Hellas Veronës fitoi dy duele në fushë nga dy dhe dy nga tre duelet ajrore.
Edhe në aspektin mbrojtës, Rrahmani ka arritur të kryejë shtatë spastrime topi ndaj Juventusit. Në lidhje me zhvillimin e lojës, kapiteni i Kosovës kreu 75% të pasimeve të sakta.
Me paraqitjen e djeshme, Rrahmani jep sinjale se mund të bëhet titullar te Napoli në të ardhmen. /Insajderi.com