Anketat, mbështetja për Presidentin Trump ka rënë

Anketat, mbështetja për Presidentin Trump ka rënë

Publiku amerikan vazhdon t’i japë presidentit Trump vlerësime të mira për ekonominë, por një anketë e kohëve të fundit zbulon se përkrahja për presidentin ka rënë në krahasim me vjeshtën e kaluar. Ndërsa për çështjen e sigurisë kufitare dhe mënyrën e trajtimit të krizës së imigrantëve, mbështetja për presidentin është e dobët.

Një anketë e re e përbashkët e agjencisë Associated Press dhe Qendrës për Kërkime Publike, NORC, tregon se mbyllja e pjesshme e qeverisë për 35 ditë me radhë, ka ndikuar tek niveli i mbështetjes së presidentit nga publiku. Këtë muaj niveli i mbështetjes arriti në nivelin më të ulët që ai ka pasë ndonjëherë, transmeton VOA.

Sipas anketës, 34 për qind e amerikanëve e miratojnë punën e presidentit, ndërsa 65 për qind nuk e miratojnë atë, ndërkohë që në muajin dhjetor ky raport ishte 42 dhe 56 për qind. Kur është fjala për ecurinë e ekonomisë, 44 për qind e amerikanëve shfaqin përkrahje për presidentin, ndërsa 55 për qind e tyre nuk pajtohen me të. Edhe kjo shifër, që nga tetori i kaluar ka shënuar rënie, kur 50 për qind e amerikanëve e përkrahnin presidentin në raport me ecurinë e ekonomisë.