Apple ndryshon aplikacionet Maps dhe Weather, e paraqet Krimenë si territor rus

Apple ndryshon aplikacionet Maps dhe Weather, e paraqet Krimenë si territor rus

Kur përdoren në Rusi, aplikacionet Maps dhe Weather të Apple tani e paraqesin Krimenë si territor rus.

Ky hap është shembulli më i ri se si Apple po i përmbush kërkesat e qeverisë ruse për ta ruajtur statusin e mirë të pajisjeve dhe shërbimeve të saj. Kompania në tetor u përball me kritika pasi që e hoqi emotikonin e flamurit të Tajvanit nga tastiera iOS në Hong-Kong.

Ndryshimi më i ri ka të bëjë me aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014 i cili ka rezultuar në kritika të shumta. Ndryshimi vlen vetëm kur Krimeja shikohet ose kërkohet në Apple Maps nga Rusia, ndërsa në pjesët e tjera të botës nuk është shënuar si territor rus.

Apple zhvilloi bisedime me Rusinë për disa muaj për këtë temë, kompania shpresonte se Krimeja do të definohej një territor i papërcaktuar, por rusëve nuk u pëlqeu kjo, shkruan KOHA Ditore.

“Krimeja dhe Sevastopol tani shfaqen në pajisjet Apple si territor rus,” konfirmoi Duma ruse.

Drejtori i Apple, Tim Cook, i ka mbrojtur shpesh politikat e kësaj kompanie të cilat përshtaten me rregulloret e vendeve.

“Kur hyni në tregun e një vendi, ju duhet t’u bindeni ligjeve dhe rregulloreve të tij. Ju nuk i bëni ligjet dhe rregulloret që i dëshironi. Rregulloret tashmë janë në atë vend dhe çdo vend në botë vendos vetë”, tha Cook para dy vjetësh.