Pas mbylljes, Arabia Saudite synon dënimin e atyre që shikojnë televizionin Al Jazeera

Ministria e Turizmit dhe Thesarit Kombëtar e Arabisë Saudite u ka dërguar shkresë hoteleve dhe objekteve të tjera të këtij lloji që në listën e kanaleve televizive të heqin kanalin nga Katari Al Jazeera.

Në deklaratën nga ministria thuhet se në listat e kanaleve televizive në hotele në radhë të parë duhet të gjenden kanalet zyrtare të vendit dhe se assesi nuk do të mund të jenë ato kanale që janë në kundërshtim me besimin dhe moralin.

Siç theksohet, në listën e kanaleve në hotele duhet të hiqen të gjitha kanalet televizive të Al Jazeera nga Katari. Ata që nuk e bëjnë, siç thuhet, rrezikohen të gjobiten me 100.000 rijalë sauditë (26.600 dollarë amerikanë).

Faqet e internetit dhe platforma dixhitale e rrjetit medial Al Jazeera janë cak i sulmeve gjithnjë e më të shpeshta kibernetike në kulmin e krizës së Gjirit.

Një punonjës i lartë i këtij rrjeti mediatik dje theksoi se faqja e internetit dhe platforma dixhitale e Al Jazeeras janë nën sulme sistematike hakerësh. Sulmet janë shpeshtuar dhe bëhen në forma të ndryshme.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Bahreini dhe Jemeni të hënë ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për destabilizim të rajonit.