Arabia Saudite ka refuzuar një ofertë të Turqisë për të ndërtuar një bazë ushtarake në mbretëri, duke thënë se “nuk mund ta lejojë” Ankaranë të vendosë një ushtrinë në territoret e tyre, sipas Agjencisë Saudite të Lajmeve.
Agjencia zyrtare shtetërore tha të shtunën se mbretëria nuk ka nevojë për bazë turke, të ngjashme me atë të ndërtuar në Katar, në vend pasi që “aftësitë ushtarake saudite janë në nivelin më të mirë ndonjëherë, me pjesëmarrje të madhe.”
“Forcat e armatosura saudite janë duke marrë pjesë edhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe bazën ajrore turke Incirlik, në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së sigurisë dhe stabilitetit në regjion”, ka thënë një zyrtar, shkruan Aljazeera.
Kjo deklaratë vjen disa ditë pasi presidenti turk Erdogan kishte treguar për televizionin portugez se i ka ofruar Arabisë Saudite të ndërtojë një bazë ushtarake.
Ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, ka vizituar mbretërinë të premten duke e takuar edhe mbretin Salman. Ndërsa është larguar të shtunën.
Përderisa sipas agjencisë së lajmeve takimi ka qenë pozitiv, marrëveshja për bazë ushtarake nuk është arritur. /Insajderi.com