Drita dhe Llapi do takohen të shtunën, në kuadër të gjiros së dhjetë në Superligën e Kosovës në futboll.
Para kësaj ndeshje, trajneri i “intelektualëve”, Ardian Nuhiu ka thënë do synojnë një rezultat pozitiv, por i pret një përballje e vështirë, shkruan Insajderi.com.
“Djemtë kanë zhvilluar një ndeshje të mirë, më ka pëlqyer angazhimi dhe mos-lejimi i kundërshtarëve që të rrezikojnë. Disa futbollistë janë duke marrë formën e tyre më të mirë dhe për këtë gjë jam i lumtur. Kemi nevojë për vazhdimësi dhe besoj që mund të vazhdojmë të marrim rezultat të mirë.
Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë. Skuadra e Llapit kishte një start jo të mirë, por në 3 ndeshjet e fundit kanë treguar se dinë të luajnë shumë mirë. Ata gjithashu posedojnë lojtarë që mund ta bëjnë dallimin në mënyrë individuale”, tha ai ndër të tjera.
Nuhiu, gjithashtu shtoi se në këtë takim, ekipi që ai drejton do të jetë pa disa futbollistë tejet të rëndësishëm.
“Kemi theksuar disa herë që futbollistët në fazën sulmuese na kanë munguar, për këtë arsye ndoshta edhe kemi pasur më pak raste të krijuara. Arbnor Muja do të mungojë në këtë takim, e sot gjatë stërvitjeve Erjon Vucaj ka shprehur një shqetësim në muskujt e tij”, u shpreh trajneri i nënkampionëve të Kosovës.
Momentalisht, Drita është në vendin e katërt në Superligë, me 16 pikë pas dhjetë ndeshjeve të zhvilluara.
Ndërsa, Llapi gjendet në vendin e shtatë, me katër pikë më pak.
Të dyja këto skuadra, sezonën e kaluar e kishin përfaqësuar Kosovën në garat evropiane, ndërsa të njëjtën – në mos më shumë, e kanë synim që ta arrijnë edhe këtë sezonë./Insajderi.com