Armando Broja shënon dhe asiston për Vitesse-n në Eredivisie

Armando Broja shënon dhe asiston për Vitesse-n në Eredivisie

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, u rikthye protagonist në kampionatin holandez, me fanellën e Vitesse-s, pas një mungese disi të gjatë, për shkak se ishte me COVID-19, njofton Insajderi.

Futbollisti 19 vjeçar, mungonte si titullar që nga pesë dhjetori i vitit 2020, teksa ditën e sotme rrëmbeu skenën në sfidën ndaj Emmen-it, në transfertë.

Fillimisht Broja asistoi mjaft bukur në minutën e nëntë, për shokun e skuadrës Tannane, që shënoi golin e 0-2.

Shqiptari nuk u mjaftua me kaq, teksa në minutën e 49-të, Tannane i kthen “borxhin”, duke asistuar për futbollistin e Kombëtares, që nuk fali, duke çuar shifrat në 0-3 për skuadrën e Vitesse-s.

Një paraqitje fantastike kjo e futbollistit 19 vjeçar, i cili u zëvendësua në minutën e 77-të, për t’i lënë vendin Darfalou-t.

Gjithashtu te Emmen për 81’ minuta u paraqit edhe Donis Avdijaj. /Insajderi.com