Armando Sadiku në “radarët” e Palermos

Armando Sadiku në “radarët” e Palermos

Mund të jetë Seria A e ardhmja e Armando Sadikut, sulmuesit shqiptar të Zyrihut në Challenge League. Sigurisht që bëhet fjalë vetëm për zëra të merkatos, që nuk mungojnë gjatë muajit të parë të vitit. Palermo, aktualisht në vendin e 18-të në Serinë A, synon të bëjë blerje të rëndësishme me qëllim qëndrimin në elitën e futbollit italian, dhe një ndër elementët më të rëndësishëm që presidenca siciliane synon për fazën sulmuese është 25-vjecari i kombëtares shqiptare.

Mediat italiane i mëshojnë faktit se Sadiku është një golashënues i spikatur, duke iu referuar statistikave të karrierës së tij në futbollin zvicëran.

Gjatë pjesës së parë të sezonti aktual me Zyrihun shqiptari ka mundur të shënojë vetëm 5 gola në 12 ndeshje ku është aktivizuar, por nuk duhet harruar fakti që për shumë javë ka qëndruar në infermieri për arsye dëmtimi.

Zyrihu kryeson kampionatin me 48 pikë, 12 më shumë se Xamaxi i vendit të dytë, diferencë kjo thuasje e parikuperueshme nëse merret në konsideratë edhe cilësia mes dy skuadrave. Për këtë arsye drejtuesit e klubit zvicëran nëse vjen një oferta e duhur, nuk do të ngurronin ta shisnin Sadikun për të cilin i ka dyert e hapura edhe Lugano në Superligën e Zvicrës, skuadër që drejtohet nga Paolo Tramezzani, ish-ndihmësi i De Biasit në kombëtaren shqiptare.