Policia ruse ka arrestuar qindra protestues që dolën në rrugë në temperatura të ftohte për të kërkuar lirimin e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, transmeton Insajderi.
Navalny u arrestua më 17 janar në aeroportin e Moskës, gjatë kthimit të tij nga Gjermania, ku qëndroi për pesë muaj për t’u shëruar nga helmimi, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet deklaruan se ai u ndalua për shkak të shkeljeve të shumta të lirimit me kusht dhe se ai do të jetë në paraburgim derisa gjykata të marrë vendim. Ai do të paraqitet në gjykatë në fillim të shkurtit.
Organizata OVD-Info që monitoron arrestimet politike tha se të paktën 350 persona u arrestuan në lindje dhe Siberi.
Disa mijëra njerëz iu përgjigjën protestës në Yekaterinburg, qyteti i katërt më i madh i Rusisë, kurse demonstrata u mbajtën gjithashtu në Vladivostok, Yuzhno-Sakhalinsk dhe qytetin e tretë më të madh Novosibirsk.
Më tej theksohet se 13 persona u arrestuan gjatë protestës në Yakutsk, qytet në Siberinë lindore ku temperatura ishte minus 50 grade Celsius.
Në Moskë, mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Sheshit Pushkin ndërsa afrohej fillimi i protestës së planifikuar. Policia përmes altoparlantit ftonte njerëzit në mënyrë të përsëritur që të mos mblidheshin për shkak të shqetësimeve shëndetësore pandemike, duke paralajmëruar që protesta ishte e paligjshme.
Kundërshtari më i përbetuar i presidentit rus Vladimir Putin u sëmur më 20 gusht gjate një fluturimi nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Aeroplani bëri ulje emergjente në Omsk dhe Navalny u dërgua në spital, ku kaloi dy ditë para se të dërgohej në Berlin për mjekim.
Navalny u transferua në Spitalin Charite në Berlin më 22 gusht. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert më 2 shtator deklaroi se Navalny u helmua me agjentin kimik “Novichok”, kurse dy laboratorë të pavarur në Suedi dhe Francë konfirmuan se Navalny ishte helmuar. Rusia vazhdimisht ka mohuar akuzat për helmim.
Më 7 shtator, Spitali Charite njoftoi se Navalny ka filluar të shërohet dhe nuk ishte më në koma. Ekipi i tij më parë pretendoi se një substancë nga grupi “Novichok” u gjet gjithashtu në një shishe me ujë në dhomën e hotelit në Tomsk, ku ai po qëndronte. Navalny u lëshua nga spitali në Berlin më 23 shtator. /Insajderi.com