Arrestohet britaniku që pengoi përhapjen e sulmit kibernetik “WannaCry”

Arrestohet britaniku që pengoi përhapjen e sulmit kibernetik “WannaCry”

Studiuesi britanik i sigurisë kibernetike, i cili u lavdërua për pengimin që i bëri përhapjes së “WannaCry” në mbarë botën, është arrestua në Las Vegas. Mes shumë organizatave nga mbi 100 shtete që u prekën nga sulmi me “ransomware”, që goditi më 12 maj, ishte edhe Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë në Britani.

Marcus Hutchins, 23 vjeç, u vu në qendër të vëmendjes pasi arriti të ndalte përhapjen e virusit keqbërës, që kërkonte dëmshpërblim përkundrejt zhbllokimit të kompjuterëve të prekur.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se ai është arrestuar për përfshirjen e dyshuar në një tjetër çështje.

“Marcus Hutchins… një shtetas britanik dhe banues në Britaninë e Madhe, është arrestuar në Shtetet e Bashkuara më 2 gusht 2017, në Las Vegas të Nevadës, pasi një juri e qarkut lindor të Wisconsinit riktheu vendimin me 6 akuza kundër Hutchins për rolin e tij në krijimin dhe shpërndarjen e virusit bankar ‘Kronos Trojan’”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë. “Akuzat kundër Hutchins, për të cilat edhe është arrestuar, kanë të bëjnë me sjelljen e supozuar të ketë ndodhur mes korrikut 2014 dhe korrikut 2015”.

Një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në Britani tha se “jemi vënë në dijeni të situatës”. “Por kjo është një çështje e organeve ligjzbatuese, ndaj dhe do të ishte e papërshtatshme të komentonim më tej”, thuhej në reagim.

Hutchins është arrestuar teksa ndodhej në aeroport, sipas një kolegu të tij që kërkoi t’i ruhej anonimiteti. “U përpoqëm ta vizitonim atë në qendrën e paraburgimit, por ishte larguar përpara se të afronin orët e vizitave”, thanë ata për BBC-në. “Nuk kemi kontakte me të që prej 18 orësh tashmë”. Kolegu në fjalë tha gjithashtu se nuk kanë marrë asnjë informacion nga autoritetet amerikane.

Studiuesi në fjalë ndodhej në Las Vegas për dy konferenca për sigurinë kibernetike, që u zhvilluan javën e kaluar. Arrestimi i tij është raportuar fillimisht nga faqja e internetit “Motherboard”, që theksonte se është përfshirë edhe FBI-ja.