Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka njoftuar mbylljen e konfliktit të Nagorno – Karabakhut me një marrëveshje të arritur midis vendit të tij dhe Armenisë, transmeton Insajderi.
Presidenti Aliyev njoftoi një mision të përbashkët paqeruajtës të Turqisë dhe Rusisë në Nagorno – Karabakh. Sipas marrëveshjes, tha ai, ushtarët rusë do të qëndrojnë në Nagorno – Karabakh për pesë vite dhe kjo periudhë mund të zgjatet nëse palët nuk e kundërshtojnë, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç parashikohet, theksoi Aliyev, Rusia do të dislokojë 1.960 trupa dhe 90 automjete të blinduara të forcave të saj paqeruajtëse në vijën e kontaktit të Nagorno – Karabakhut dhe në korridorin Lachin.
Më tej, Aliyev njoftoi se Kalbajar do t’i dorëzohet Bakut deri më 15 nëntor, rrethi Agdam deri më 20 nëntor, ndërsa Lachin deri më një dhjetor.
Presidenti azerbajxhanas e përshkroi marrëveshjen si “humbje të Armenisë”. Ai theksoi se kryeministri armen e nënshkroi marrëveshje për shkak të “grushtit të hekurt” të Bakut dhe jo me vullnetin e vetë Jerevanit.
Aliyev po ashtu tha se çlirimi i rreth 300 vendbanimeve që nga 27 shtatori dobësoi ushtrinë armene.
Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu njoftoi se Azerbajxhani dhe Armenia kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në rajonin e Nagorno – Karabakhut. Ai tha se këto dy vendeve sipas marrëveshjes do të qëndrojnë në pozicionet që kontrollojnë.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike mbi Nagorno – Karabakhun kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, por përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator.
Që atëherë, Armenia ka sulmuar në vazhdimësi civilët dhe forcat azerbajxhanse, madje duke shkelur tre marrëveshje humanitare të armëpushimit.
Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit për gati tre dekada ka qenë nën pushtim të paligjshëm të Armenisë. /Insajderi.com