Arrihet struktura e marrëveshjes për paqe në Afganistan

Negociatorët amerikanë dhe talibanë ranë dakord për strukturën e një marrëveshjeje të paqes, e cila do t'i jepte fund konfliktit 17-vjeçar në Afganistan, tha kryenegociatori i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad.

Arrihet struktura e marrëveshjes për paqe në Afganistan

Negociatorët amerikanë zhvilluan gjashtë ditë bisedime me talibanët në Katar, javën e kaluar.

Talibanët, deri më tash, kanë refuzuar të mbajnë bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarët afganë, duke i cilësuar ata si “kukulla” të SHBA-së.

Khalilzad, i dërguar i posaçëm i SHBA-së për paqe në Afganistan, qëndroi në Kabul për t’i informuar zyrtarët atje në lidhje me bisedimet.

“E kemi strukturën, e cila duhet të zgjerohet përpara se të bëhet marrëvesha”, tha Khalilzad për “New York Times” në Kabul, transmeton REL.

Talibanët thonë se do t’i nisin negociatat me Qeverinë afgane pasi të arrihet pajtim për datën e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.

Të hënën, presidenti afgan, Ashraf Ghani, u bëri sërish thirrje talibanëve që të bisedojnë drejtpërsëdrejti me qeverinë e tij.

Në intervistën për New York Times, Khalilzad tha se talibanët kanë premtuar se nuk do t’iu ofrojnë strehë për grupet terroriste – çfarë është kërkesë kyçe e Uashingtonit nëse i tërheq trupat.