Arrin në 290 numri i të vrarëve në Sri Lankë

Shpërthimet e shumëfishta në kisha dhe hotele të dielën e pashkëve në Sri Lankë, lanë pas vetes 290 të vrarë dhe 500 të plagosur, duke shënuar kësisoj një nga ngjarjet më të dhunshme në atë vend në dhjetë vitet e fundit.

Arrin në 290 numri i të vrarëve në Sri Lankë

Gjashtë shpërthimet e para që filluan në mëngjesin e së dielës, ishin të bashkërenduara dhe shkaktuan numrin më të madh të viktimave, ndërsa dy shpërthime më të vogla ndodhën disa orë më vonë.

Në shënjestër ishin turistët dhe besimtarët që po merrnin pjesë në lutjet e Pashkëve në kishat e tri qyteteve.

Më vonë zyrtarët thanë se një mjet shpërthyes u çmontua në afërsi të aeroportit kryesor të Kolombos.

Shpërthimet tronditën ishullin që ishte në një paqe relative që nga përfundimi i luftës civile dhjetë vjet më parë.

Trembëdhjetë veta janë arrestuar në lidhje me sulmet, për të cilat ende askush nuk e mori përsipër përgjegjësinë.

Kryeministri i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe, pranoi para gazetarëve të dielën se qeveria kishte njohuri për sulme të mundshme. “Informatat ishin aty”, tha ai, por nuk ishte në gjendje të thotë, “përse nuk u morën masa të duhura parandaluese”.

Rreth 30 të huaj, përfshirë amerikanë, britanik, indianë, turq, japonezë, kinezë dhe portugez, janë në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve. Të shtrira në Oqeanin Indian, plazhet me rërë të bardhë të Sri Lankës, janë të popullarizuara në mesin e turistëve që vizitojnë Azinë Jugore.

Autoritetet shpallën shtetrrethimin gjatë natës së të dielës, ndërsa e hoqën atë të hënën. Sri Lanka bllokoi qasjen në rrjetet sociale përfshirë Facebookn dhe WhatsApp-in, në një përpjekje për të penguar vërshimin e “dezinformatave dhe thashethemeve”. Shkollat janë mbyllur deri të martën dhe policia u ka kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi.