Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka shënuar ngritje prej 10 pikëve në renditjen e re të FIBA-s.
FIBA ka publikuar renditjen e re të skuadrave, ku Kosova është ngritur për 10 pikë, raporton Insajderi.
Në renditjen e re të FIBA-s, Kosova është ngritur me më së shumti pikë, 10, përkundër humbjeve të pësuara në kualifikimet për Botërorin 2019.
Kosova u mposht nga Lituania dhe Hungaria, në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2019 i cili do të luhet në Kinë.
Renditja e re e FIBA-s është përcaktuar nga ndeshjet të cilat 149 skuadrat në renditje i kanë zhvilluar në tetë vitet e fundit – duke përfshirë edhe ndeshjet kualifikuese të Botërorit të zhvilluara në nëntor.
Nga këto ndeshje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë me 836 pikë, derisa Spanja është në vendin e dytë, kurse top 5-shen e përbëjnë Serbia, Franca e Lituania.
Kosova e cila ka shënuar ngritjen më të madhe me pikë, renditet në pozitën e 86-të, kurse Shqipëria renditet në pozitën e 81-të në listë. /Insajderi.com