As pandemia globale nuk e ndali dot këtë 102-vjeçare të votojë

As pandemia globale nuk e ndali dot këtë 102-vjeçare të votojë

Bea Lumpkin është 102-vjeçare dhe nuk ka humbur asnjëherë rastin të votojë në zgjedhje, shkruan CNN, transmeton Insajderi.

E kësaj here, as pandemia globale nuk e ndali dot të votojë në zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Lumpkin, një ish-mësuese e shkollës publike në Çikago, e veshur me pajisje mbrojtëse personale nga koka te këmbët hodhi fletën e votimit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në kutinë postare javën e kaluar.

Në moshën e saj, Bea është në rrezik të lartë për t’u sëmurur rëndë nëse do të infektohet me Coronavirus. Por ajo kurrë nuk do ta kishte humbur shansin e saj për të votuar. Ajo i bën thirrje çdo votuesi të regjistruar në ShBA të ushtrojë të drejtën e tij.

“Arsyeja më e rëndësishme për të votuar në këto zgjedhje është se ka aq shumë në rrezik për shkak të sfidës së madhe për mbijetesën e demokracisë sonë”, tha Lumpkin për CNN.

Nëse ajo mund të votojë këtë vit, mundet edhe kushdo që është regjistruar, tha ajo. Dhe arsimtarja e pensionuar e di më mirë se shumica vlerën e votës. Ja pse Bea Lumpkin, votuese krenare dhe njëqindvjeçare, thotë se është shumë e rëndësishme të votosh në vitin 2020.

Shumë prej çështjeve për të cilat Bea shqetësohet janë veçanërisht relevante në vitin 2020: kujdesi shëndetësor, racizmi dhe ndryshimi i klimës midis tyre. Ajo beson në kujdesin shëndetësor për çdo amerikan; ajo dëshiron të shohë reforma në zbatimin e ligjit për t’i dhënë fund brutalitetit dhe racizmit në polici; dhe ajo paralajmëron për shkatërrimin e shkaktuar nga ndryshimi i klimës, të tilla si zjarret që dogjën shtëpinë e djalit të saj në Kaliforni.

Ajo është lodhur nga jetesa në pandemi dhe nuk pajtohet me mënyrën se si shkenca është nënvlerësuar nga presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë federalë të ngarkuar me udhëheqjen e vendit gjatë pandemisë. Ajo dikur dha biologji dhe është një “respektuese e madhe” e përparimeve që shkencëtarët kanë bërë që nga lindja e saj. /Insajderi.com