Atalanta eliminon Lazio-n nga kupa, kalon në gjysmëfinale

Atalanta eliminon Lazio-n nga kupa, kalon në gjysmëfinale

Atalanta ka eliminuar Lazion në çerekfinale të Kupës së Italisë, teksa kanë triumfuar me rezultatin 3:2, në një ndeshje spektakolare, njofton Insajderi.

Ishte mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti që i dha avantazhin Atalantës në minutën e shtatë, duke shënuar kështu golin e parë personal për këtë sezon. Megjithatë për të vendosur baraspeshën mendoi një tjetër shqiptar.

Në minutën e 17-të, Muriqi shfrytëzon në mënyrë të shkëlqyer një krosim të Acerbit nga e majta, për ta dërguar topin në rrjetë me kokë. Ishte pikërisht Acerbi që përmbysi rezultatin, duke shënuar të dytin për Lazion në minutën e 34-të, por ky avantazh zgjati vetëm tre minuta, pasi në 37-të, Malinovski shënoi golin e barazimit.

Pjesa e dytë nuk nisi mirë për skuadrën e Gasperinit, pasi në minutën e 53-të, Palomino u ndëshkua me të kuq dhe la ekipin me 10 lojtarë. Por kjo duket se i bëri mirë ‘zikaltërve’, të cilët katër minuta më vonë kaluan në avantazh me Miranchuk dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Atalanta eliminon kështu Lazion dhe në gjysmëfinale të Kupës përballet me fituesin e çiftit Napoli-Spezia. /Insajderi.com