Atalanta mposht Napolin, në finalen e Kupës e pret Juventus

Atalanta mposht Napolin, në finalen e Kupës e pret Juventus

Gjysmëfinalja e Kupës së Italisë ka rezervuar një derbi shqiptarësh në fushën e lojës. Rrahmani-Hysaj përballë Berat Gjimshitit. Por pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit festa i takonte pikërisht Berat Gjimshitit. Atalanta mposhti me shifrat 3-1 ekipin e Napolit, duke siguruar kështu biletën për në finale, njofton Insajderi.

I pari e tundi rrjetën Duvan Zapata, ndërsa në minutën e 16-të Pessina dyfishon shifrat. Napoli kundërpërgjigjet në pjesën e dytë me Lozanon, por është sërish Pessina ai që në minutën e 78-të mbyll përfundimisht ëndrrat e skuadrës së Gattusos.

Loja e bukur e Gasperinit ka dhënë sërish frytet, por në finalen e Kupës së Italisë “e bukura” do të gjejë përballë “bishën” Juventus. “Zonja e vjetër” po tregon rritje nga ndeshja në ndeshje dhe një skuadër që gjithnjë ka uri për trofe padyshim që do ia bëjë mbrëmjen mëse të vështirë Gjimshitit dhe Atalantës. /Insajderi.com