Sulmuesi Atdhe Nuhiu largohet zyrtarisht nga Përfaqësuesja e Kosovës, njofton Insajderi.
31 vjeçari ka njoftuar vendimin e tij, nëpërmjet rrjeteve sociale, ku bën të ditur se nuk do të jetë më pjesë e “Dardanëve”. Kujtojmë se Nuhiu ka luajtur në 19 ndeshje me Kosovën, ku ka arritur të shënojë edhe tre gola, në një rrugëtim katër vjeçar.
POSTIMI:
Po u drejtohem sot, për t’ ju njoftuar se sot kam marrë vendimin më të vështirë në karrierën time si profesionist në futboll.
Kam vendosur të ndaj me ju lajmin e tërheqjes sime nga Kombëtarja e Republikës së Kosovës, një ekipi me të cilin kam kujtime të jashtëzakonshme dhe momente të paharrueshme, gjatë rrugëtimit 4-vjeçar.
Më kujtohet takimi i parë me udhëheqësit e Kombëtares së Kosovës kur pranova me krenari të luaj për këtë kombëtare.
Gjithmonë do të jem falënderues për kryesinë e Kombëtares, të gjithë bashkëlojtarët e mi, kryetarin Agim Ademin, nga i cili kishim mbështetjen maksimale edhe në kushtet më të vështira, ish-trajnerin Albert Bunjaku me të cilin bashkëpunova nga dita e parë në kombëtare dhe qëllimin e vetëm e kishim të punojmë në mënyrë sa më profesionale e të ndërtojmë një ekip apo një kombëtare që e ëndërruan shumë gjenerata para nesh.
Sot Kombëtarja e Kosovës ka një super ekip dhe shpresë për lavdi e suksese në arenë ndërkombëtare, madje duke dëshmuar se mund të konkurojmë me kombëtare si Anglia, Spanja etj.
Dua të falënderoj, të gjithë fansat e kombëtares, të cilët kurrë nuk na lanë vet, në çdo ndeshje, në çdo udhëtim dhe në çdo moment.
Ju përqafoj të gjithëve dhe jeni në zemrën time përgjithmonë.
/Insajderi.com