Athletic Bilbao vs Barcelona – finalja e Copa del Rey

Athletic Bilbao vs Barcelona – finalja e Copa del Rey

Athletic Bilbao eliminoi mbrëmë Levanten me rezultatin 2:1 me një gol në kohën shtesë duke siguruar finalen e Kupës së Mbretit (Copa del Rey) muajin e ardhshëm, njofton Insajderi.

Ndeshja e parë e gjysmëfinales së zhvilluar në shkurt në Bilbao përfundoi 1:1 ndërsa ndeshja e dytë në Valencia fillimisht përfundoi me të njëjtin rezultat.

Roger Marti i Levantes shënoi golin e parë në minutën e 16-të, por në minutën e 29-të, sulmuesi i Athletic Bilbaos, Raul Garcia realizoi me sukses penalltinë për ekipin e tij duke barazuar rezultatin në 1:1.

Ndeshja shkoi në kohën shtesë pasi pjesa e dytë përfundoi 1:1. Në minutën e 112-të, Alex Berenguer shënoi golin e fitores për Athletic Bilbaon, 2:1.

Athletic Bilbao shënoi fitore 3:2 me rezultat të përgjithshëm duke kaluar në finalen e Copa del Rey.

Athletic Bilbao do të përballet me Barcelonën në finale më 17 prill në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.

Në një kthesë të çuditshme të ngjarjeve, Athletic Bilbao muajin e ardhshëm do të luajë edhe në finalen e Copa del Rey të vitit 2020.

Finalja e sezonit të kaluar ishte planifikuar fillimisht për 18 prill të vitit 2020 në Sevilla por pandemia e Coronavirusit detyroi shtyrjen e saj.

Të dyja finalet e vitit 2020 dhe 2021 të Copa del Rey do të luhen pa tifozë për shkak të COVID-19. /Insajderi.com