Atletico de Madrid ka fituar derbin e javës së 10-të në La Liga, duke mposhtur me rezultat minimal 1:0 mysafirët e Barcelonës, njofton Insajderi.
Momenti kyç i takimit ishte minuta e tretë shtesë në pjesën e parë, kur pas një dalje të gabuar të Ter Stegen, arriti më së miri të përfitonte Carrasco, duke kaluar portierin dhe kështu dukë shënuar në portën e zbrazët nga një distancë e largët.
Në pjesën e dytë, edhe pse nuk mungonin përpjekjet e Barcelonës për të barazuar rezultatin, të gjitha ishin të kota para mbrojtjes së hekurt të aplikuar nga Simeone.
Në anën tjetër, edhe te nikoqirët nuk mungonin rastet për të dyfishuar epërsinë, mirëpo kjo ishte ajo e gjitha çfarë mund të ofronin këto skuadra në këtë takim.
Me këto tre pikë, Atletico shkon në kuotën e 20 pikëve dhe ndodhet në krye të klasifikimit në La Liga, ndërsa Barcelona ndodhet në pozitën e 10-të në tabelë me vetëm 11 pikë të grumbulluara. /Insajderi.com