Australia është në bisedime për t’i bërë të mundshme udhëtimet pa nevojë për karantinë

Australia është në bisedime për t’i bërë të mundshme udhëtimet pa nevojë për karantinë

Qeveria australiane thotë se është në bisedime me disa kombe rreth udhëtimeve pa pasur nevojë karantinë, por paralajmëron se Evropa dhe SH.B.A. nuk do të jenë në listë.

Marrëveshja e parë do të jetë me Zelandën e Re, tha Kryeministri Scott Morrison.

Kombet e tjera që mund të ndjekin shembullin janë Japonia, Singapori, Koreja e Jugut dhe kombet e Pacific Island.

Australia mbylli kufijtë e saj në Mars, herët në pandemi.

Deri më tani, ajo ka regjistruar 27,263 raste dhe 898 vdekje.

Australia ka dalë më mirë se kombet e tjera, por kohët e fundit filloi një valë e dytë e epidemisë, në shtetin e Victoria, duke detyruar Melburnin dhe zonat përreth tij në një tjetër izolim. Që nga ajo kohë infeksionet kanë rënë në mënyrë dramatike.

Nga e premtja, banorët e Zelandës së Re do të jenë në gjendje të udhëtojnë në disa shtete australiane – Uellsi i Ri Jugor, Canberra dhe Northern Territory, pa qenë e nevojshme të hyjnë në karantinë. Por ata do të duhet të bëjnë karantinë hotel pas kthimit të tyre në shtëpi.

Të dielën, një person në një hotel karantinë në Auckland doli pozitiv për Covid. Katër raste u raportuan të shtunën, të gjitha të ardhura nga jashtë.

Morrison tha se ai kishte folur në lidhje me udhëtimet me homologët e tij në Japoni, Korenë e Jugut dhe disa kombe të Paqësorit, ndërsa Ministrja e Jashtme Marise Payne zhvilloi bisedime në Singapor.

“Ne duhet të kemi shumë kujdes për këtë  tani. Covid-19 nuk ka shkuar askund. Është akoma atje. Dhe jo më pak agresiv sesa ishte gjashtë muaj më parë,” tha Z. Morrison.

Ministri i Turizmit Simon Birmingham paralajmëroi se udhëtimi në zona me rrezik të lartë si SH.B.A. dhe Evropa nuk kishte gjasa të ndodhte deri në fund të vitit 2021.

“Perspektivat e udhëtimeve në vendet me rrezik më të lartë do të mbeten të varura nga vaksinimi efektiv ose përparime të tjera në menaxhimin e Covid,” tha ai./Insajderi.com